Presidenti Thaçi flet me kryeministrin e Serbisë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 7 mars 2017 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri i Serbisë kanë biseduar për zhvillimet pas vizitës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në rajon.

“E zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, Vuçiq. Ne e mirëpritëm vizitën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në rajon dhe e konfirmuam përkushtimin tonë ndaj dialogut. Me kryeministrin Vuçiq ne gjithashtu biseduam për nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Besoj fuqimisht se dialogu sinjalizon një epokë të re në Ballkan”, ka shkruar presidenti Thaçi në llogarinë e tij në Twitter.

Në këtë bisedë telefonike është ripërsëritur përkushtimi i dyanshëm për të vazhduar dialogun dhe për të implementuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.