Presidenti Thaçi dhe ambasadori Delawie nënshkruan sot amandamentimin e marrëveshjes 30 milionë dollarëshe ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së

Prishtinë, 12 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, dhe shefin e USAID-it në Kosovë, James Hope, nënshkruan sot amandamentimin e Marrëveshjes mbi Grantin e Objektivave Zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për këtë grant rreth 30 milionë dollarë në mbështetje në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, nxitjen e investimeve në sektorin privat dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

“Marrëveshja e sotme në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është edhe një hap përpara i mbështetjes së fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë konsolidimit të shtetit të Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe progresit të gjithanshëm, për çka edhe u jemi mirënjohës, i nderuari ambasador, juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai tha më tej se këto ditë të fundit të këtij viti janë shumë pozitive për Kosovën, para së gjithash kur nesër do të nënshkruhet edhe marrëveshja tjetër në sektorin energjetik për Kosovën e Re- një investim prej 1 miliardë e 300 milionë eurosh që do ta bëjnë investitorët amerikanë.

“Ky është mesazhi më i mirë që mund të burojë nga Kosova në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, por edhe të mesazhit për atmosferën e mirë të investimeve në Republikën  e Kosovës për investitorët e huaj” shtoi i pari i vendit.

Kurse, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Delawie, tha se ceremonia e sotshme e nënshkrimit të këtij granti bën pikërisht këtë zotim: punën e përbashkët në 2018-tën.

 “Kjo marrëveshje për grante shton edhe mbi 30 milionë dollarë për aktivitetet e USAID-it që do t’i trajtojnë sfidat kryesore të zhvillimit të Kosovës: avancimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjen e mirë, rritjen e ekonomisë së larmishme që krijon investime dhe vende pune, si dhe fuqizimin e kosovarëve të rinj me zotësi akademike dhe profesionale për të qenë gjenerata e ardhshme e prijësve të Kosovës” theksoi ambasadori Delawie.

Ai tha se partneriteti për zhvillim ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës është i fuqishëm.

“Ai reflekton pothuajse dy dekada të punës së përbashkët për jetë më të mirë dhe të ardhme më të ndritur për qytetarët e Kosovës. SHBA-ja mbetet e përkushtuar në zotimet e saj dhe presim vazhdimin e partneritetit tonë të vazhdueshëm”, pohoi ambasadori Delawie.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, falënderoi ambasadorin amerikan, Delawie, dhe shefin e USAID, Hope, për mbështetjen që i kanë dhënë vazhdimisht Kosovës.