Presidenti Thaçi dekoroi reporterët e luftës, Nuhi Bytyçin dhe Abaz Zekën

rishtinë, 21 qershor 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka dekoruar reporterët e luftës, Nuhi Bytyçin dhe Abaz Zekën, me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

residenti Thaçi ka thënë se kontributi i popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi është shumë i madh.
 
“Kontributi i njerëzve aktivistë politikë, luftëtarë të lirisë, i të gjithë atyre njerëzve që ranë në istikamet e luftës ishte shumë i madh, por një kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik kanë dhënë edhe njerëzit që me të vërtetë kanë prezantuar atë që ndodhte në Kosovë, rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke marrë pjesë drejtpërdrejtë në istikame të luftës dhe të njëjtën kohë, duke bërë xhirime të rrezikshme për të prezantuar pamjet, realitetin dhe të vërtetën e Kosovës, kudo ku jetonin shqiptarët, por edhe në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.
 
Në mesin e këtyre njerëzve, prej më të çmuarve, presidenti Thaçi ka thënë se janë edhe Nuhi Bytyçi dhe Abaz Zeka.
 
Gazetari Nuhi Bytyçi e falënderoi presidentin Thaçi për këtë medalje me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
 
“Konsideroj se kjo mirënjohje është jo vetëm mirënjohje për punën time dhe të Abazit, por edhe të  kolegëve tjerë gazetarë, kameramanë, montazherë, me të cilët kemi punuar dhe bashkëpunuar në rrethana të luftës, por edhe pas luftës në ndërtimin dhe rindërtimin e Kosovës dhe në rrugëtimin 10 vjeçar të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Bytyçi.
 
Presidenti Thaçi shtoi se reporterët e luftës, me nder, me atdhetarizëm dhe me profesionalizëm e kanë kryer obligimin fisnik e kombëtar për të informuar opinionin e gjerë, në kohë tejet të vështira, për të pasqyruar të vërtetën për Kosovën dhe rrugëtimin plot me sfida e sakrifica të popullit tonë.