Presidenti Thaçi dekoroi ambasadorin Kai Eide me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë

Prishtinë, 5 prill 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur diplomatin norvegjez dhe ish të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në vitin 2005, ambasadorin Kai Eide.

Për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, presidenti Thaçi e dekoroi ambasadorin Eide me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se të gjitha sukseset e Kosovës, që nga liria deri te shtetndërtimi, janë ndërmarrje e përbashkët e popullit të Kosovës dhe miqve të shumtë që i ka Kosova në tërë botën.

Nga ana tjetër, ambasadori Kai Eide ka thënë se është i nderuar me vizitën dhe dekoratën presidenciale, si dhe ka përgëzuar presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës për të arriturat në dy dekadat e fundit.

Raporti i ambasadorit Eide mbi situatën politike në Kosovë për Sekretarin e atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, rezultoi me fillimin e negociatave për definimin e statusit – proces që përfundojë me pavarësinë e Kosovës.