Presidenti: Siguria kombëtare dhe mbrojta e të drejtave të njeriut, sfidë e përhershme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilin ka folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e përgjithshme politike në vend.

Duke, folur për deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se vijat ndarëse ndërmjet çështjeve që janë trajtim i sigurisë kombëtare  dhe mbrojtës së të drejtave dhe lirive njerëzore është problematikë e përhershme edhe me shtetet më demokratike të botës.

“Kosova nuk mund të paraqet përjashtim në këtë aspekt, sepse aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendin tonë, ashtu sikur në vendet tjera demokratike bëhen në format më të sofistikuara të mundshme”, ka shtuar Presidenti.

Ai po ashtu ka potencuar se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës është e qetë, është stabile, ndonëse jemi në prag të festës së Pashkëve, janë marrë të gjitha masat përkatëse që edhe kjo festë të kaloi pa asnjë incident, pa asnjë problem dhe asnjë indikacion për ndonjë kërcënim nuk do të funksionoj në Republikën e Kosovës.

Kjo është deklarata e plotë e presidentit Thaçi:


Ajo që dëshiroj të potencoj që në fillim është se situata e sigurisë në Republikën e Kosovës është e qetë, është stabile. Edhepse jemi në prag të festës së Pashkëve, kemi marrë të gjitha masat përkatëse që edhe kjo festë të kaloi pa asnjë incident, pa asnjë problem dhe asnjë indikacion për ndonjë kërcënim nuk do të funksionoj në Republikën e Kosovës.

Kosova është shtet demokratik, i ndërtuar në përputhje me standardet më të larta demokratike të cilat mbi gjithçka tjetër respektojnë të drejtat individuale të çdo njeriu, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit apo bindjeve  politike apo ideologjike. Ky parim i mishëruar në Kushtetutën dhe ligjet tona mbetet i patjetërsueshëm dhe është detyrë e institucioneve tona shtetërore që ta zbatojnë në praktikë.

Si president i Republikës së Kosovës, jam i zhgënjyer dhe shpreh keqardhjen time të thellë për shkak se institucionet tona relevante, për arsye që mbetet të sqarohen deri në fund, duket se kanë dështuar të mbrojnë këto parime që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë.

Unë jam i informuar dhe ende jam duke marrë sqarime shtesë nga organet kompetente lidhur me rastin dhe rrethanat në të cilat është kryer deportimi i gjashtë shtetasve me kombësi turke për në Turqi.

Deri më tani kam pranuar një raport të hollësishëm i cili është dëgjuar edhe prej Kryeparlamentarit, Kryeministrit, Ministrit të jashtëm, dhe bartësve tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës  dhe liderëve të tjerë në Zyrën time në prani të partnerëve ndërkombëtarë.

Pra, kemi pranuar një raport të hollësishëm nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës e cila në mënyrë të detajuar sqaron arsyet dhe procedurat që kanë dërguar deri te kërkesa e AKI-së drejtuar Departamentit kompetent në Ministrinë e Punëve të Brendshme për anulimin e lejeqëndrimit, respektivisht kërkesës për deportim.

Sipas këtij raporti, arsye e vetme se përse këta shtetas me kombësi turke janë deportuar, ka të bëjë me veprimet e tyre të paligjshme në Kosovë, të cilat gjithnjë sipas AKI-së, kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës.

Pra, arsye e vetme për deportim sipas AKI-së, është rrezikimi i sigurisë kombëtare, e ritheksoj gjithmonë sipas AKI-së.

Sipas AKI-së, raste të njëjta të deporitmit të shtetasve të huaj të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitetet të cilat synojnë sigurinë kombëtare ka pasur edhe në të kaluarën, kuptohet duke respektuar procedurat në fuqi.

Por, detajet dhe procedurat duhet të sqarohen nga AKI dhe Ministria e Punëve të Brendshme deri në fund, dhe në rast se ka pasur shkelje atëherë përgjegjësit duhet të japin llogari, kushdo që të jetë.

Ndërsa  ne po flasim këtu, unë jam në dijeni se organet hetuese shtetërore janë duke trajtuar këtë rast dhe ne duhet të presim përfundimin e tyre.

Përveç kësaj, jam në dijeni se edhe Avokati i Popullit ka filluar hetimet e pavarura dhe duhet t’i presim përfundimet që do të nxirren.

Derisa krejt këto hetime nuk përfundojnë, ne duhet të kemi kujdes se si sillemi në raport me organet të cilat janë përgjegjëse për sigurinë tonë kombëtare.

Vijat ndarëse ndërmjet çështjeve që janë trajtim i sigurisë kombëtare  dhe mbrojtës së të drejtave dhe lirive njerëzore është problematikë e përhershme edhe me shtetet më demokratike të botës.

Kosova nuk mund të paraqet përjashtim në këtë aspekt, sepse aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendin tonë, ashtu sikur në vendet tjera demokratike bëhen në format më të sofistikuara të mundshme.

Këtë nuk e them për të justifikuar ndonjë veprim antiligjor të organeve që ruajnë sigurinë kombëtare të Kosovës, mirëpo për të sqaruar se sa e vështirë është lufta kundër terrorizmit, fundamentalizmit, dhe parandalimit të aktiviteteve të spiunazhit në vendin tonë.

Kjo çfarë ka ndodhur është një rast i izoluar dhe nuk mund të përdoret nga askush për të akuzuar Kosovën për mosrespektim të Konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por diçka e tillë nuk do të lejojmë që të përsëritet kurrë.

Unë pres që hetimet nga organet kompetente të hedhin dritë për këtë rast dhe ftoj Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, që me urgjencë ta sqaroj këtë rast deri në fund.

Llogaridhënie duhet të ketë patjetër për të vërtetuar në rast se  ka pasur shkelje të ligjeve dhe procedurave në fuqi.

Mirëpo ne duhet të kujdesemi që siguria jonë nacionale të jetë prioritet mbi prioritete.

Në asnjë rrethanë në kurriz të mosrespektimit të të drejtave njerëzore në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Dua të siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, se Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese dhe të cilat mbi gjithçka tjetër i sigurojnë çdo individi që të shpreh pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë.

Askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër.