Presidenti: Kushtetuta është themel i shtetit tonë modern

Prishtinë, 10 prill 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen solemne për shënimin e Ditës së Kushtetutës, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Presidenti Thaçi ka thënë se një dekadë më parë kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen tonë, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, që u bë atdhe i të gjithë qytetarëve.

“Dita e miratimit të Kushtetutës nuk ishte vetëm legjitimim i shtetësisë sonë, por edhe jetësim i një ideje, i një projekti dhe i ëndrrave të shumë gjeneratave që u flijuan dhe punuan për këtë ditë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “ajo ditë shënoi rrugëtimin tonë të pandalshëm për ndërtimin e një shteti demokratik, ku pronarë janë të gjithë qytetarët, pa dallime etnike dhe përkatësie fetare”.

Kreu i shtetit theksoi se Kushtetuta e Kosovës është ndër më modernet në Evropën Juglindore dhe mishëron vlerat e të drejtave të njeriut, të qytetarëve të barabartë, duke garantuar liritë qytetare dhe barazinë para ligjit.

“Sot, ashtu sikurse dhjetë vjet më parë, nuk ishte vetëm një ditë feste, por edhe një ditë zotimi se do të ndërtojmë një shtet, i cili do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në Evropë”, theksoi ai.

Dhjetë vjet më parë, sipas presidentit Thaçi, u projektua rruga euroatlantike me synimin që shteti i Kosovës të jetë anëtar i BE-së dhe i NATO-s.

“Një dekadë është shumë pak për një shtetndërtim të suksesshëm, por mjaftueshëm që në rastin e Kosovës të vërehen përparimet që janë bërë. Kushtetuta e Kosovës që nga dita e parë ka qenë burim i konsensusit qytetar dhe politik në vendin tonë. Prandaj, qytetarët e Kosovës, të gjitha institucionet, e kanë ruajtur dhe e kanë mbrojtur atë si themelin kryesor të shtetit tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se në këtë dekadë të funksionimit kanë qenë dhe do të jenë të domosdoshme edhe ndryshimet kushtetuese, si një nevojë për forcimin e institucioneve dhe shtetësisë sonë.

“Unë dua ta shfrytëzoj edhe këtë rast që t’i inkurajojë të gjithë për të zhvilluar një debat të brendshëm, në mënyrë që vendimet e marra për ndryshime kushtetuese të reflektojnë në të mirën e përgjithshme dhe konsensusin shoqëror e politik”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndër ndryshimet kryesore që, sipas presidentit Thaçi, i presin qytetarët e Kosovës janë edhe ndryshimet e nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja e komunitetit kroat dhe atij malazez në Kushtetutën e Kosovës dhe ndryshimet që kërkohen për të përmbyllur reformën elektorale.

Kreu i shtetit i ka falënderuar edhe vendet mike për përkrahjen e pa rezervë dhe i ka uruar të gjithë ata që me punën e tyre e mbrojnë dhe e forcojnë Kushtetutën e Kosovës, themelin e shtetit tonë.

Hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi i ka dekoruar edhe me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.