Presidenti: Epopeja e UÇK-së zgjoi kudo krenarinë shqiptare

Prishtinë, 5 mars 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila sivjet përkon edhe më 10 vjetorin e shpalljes të Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se këta dy përvjetorë jubilarë janë ngjarje epokale, historike dhe me peshë të veçantë për Kosovën dhe qytetarët tanë.

“Para dy dekadave Kosova sublimoi tërë historinë e përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi, duke iu kundërvënë aparatit administrativ, policor dhe ushtarak të Beogradit, të drejtuar nga regjimi i Millosheviqit. Kjo kundërvënie u bë përmes rezistencës së armatosur, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli nga gjiri i qytetarëve tanë. Qëndresa e komandantit Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij u shndërrua në masivizim dhe zgjerim të jashtëzakonshëm të radhëve të  UÇK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai tha se Epopeja e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare, në Kosovë, në diasporë dhe anembanë botës, kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

“Rezistenca e UÇK-së dhe ajo gjithë qytetare bëri që bota demokratike, në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së ta vë në përdorim fuqinë më të madhe ushtarake të Aleancës Veriatlantike, NATO-n. Kosova përfundimisht u bë një vend i lirë për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi ai.

Kreu i shtetit shtoi se sa herë gjendet para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës e sheh momentin e ndritur të Kosovës, ku bashkohet më së miri historia, e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë.

“Rreshtimet tuaja të gjithëve na bëjnë krenarë, na japin forcë, siguri dhe më shumë dashuri për atdheun tonë. Ju jeni në themelet e identitetit tonë si shtet i pavarur, që prej kohës së transformimit deri në strukturimin e sotëm. Prandaj, si President i Kosovës, shpreh respektin tim më të madh për gjithë punën tuaj nën uniformën e FSK-së. Këtë uniformë, përmes pjesëtarëve tuaj, po e bëni të respektuar kudo në botë, në akademitë prestigjioze, qoftë me aktivitete grupore, qoftë me të arritura individuale. Duke marrë parasysh përgatitjen tuaj, bashkëpunimin e suksesshëm dhe përkrahjen që keni nga KFOR-i dhe NATO-ja, ju faktikisht po dëshmoni pjekurinë dhe aftësinë për të ushtruar misionin tuaj themelor, atë të Forcave të Armatosura të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “niveli i përgatitjes në shumë dimensione është më i mirë se ai i forcave të armatosura të rajonit”.

Edhe pse sot është një ditë festive ku përkujtohet krenaria dhe sakrifica për liri dhe pavarësi, presidenti Thaçi theksoi se nuk mund të mos e themi se marshin e ecjes përpara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në transformim profesional nuk arriti ta përcillte politika jonë.

“Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon”, shtoi presidenti Thaçi

I pari i vendit theksoi se dëshiron që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke bashkuar në një vend, në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha entiteteve dhe të gjitha komuniteteve të Kosovës.

Ai theksoi se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë vlerë e përbashkët e të gjithëve, një vlerë që shpreh karakterin shumetnik të shtetit dhe shoqërisë sonë.