Presidenti: Enver Zymeri ra në krye të detyrës për mbrojtjen e atdheut

Prishtinë, 26 korrik 2018 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe dhe ka vendosë kurore lulesh tek lapidari i heroit Enver Zymeri.

Kreu i shtetit ka thënë se është vazhdimësi e nderimit shtetëror për heroin e Kosovës, Enver Zymeri, i cili ra në mbrojtje të atdheut, në krye të përgjegjësive shtetërore.

“Shteti i Kosovës, populli i Kosovës, do ta vlerësojnë lartë jetën, punën, aktivitetin dhe gjithë atë përkushtim jetësor që Enveri i ka kushtuar familjes, atdheut, kombit, shtetit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Enver Zymeri, sipas presidentit Thaçi, ka treguar më së miri sesi punohet dhe si kryhen përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

“Enveri ishte njeriu, i cili tregoi më së miri se si punohet dhe si kryhen përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, në mbrojtje të kushtetutshmërisë, në mbrojtje të ligjshmërisë dhe definitivisht kjo ditë e rënies së Enverit, është ajo e marrjes së kontrollit të pikave kufitare, që simbolizon edhe bashkimin e Kosovës”, ka thënë ai.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se Enverin do ta kujtojnë dhe do të ndjehen krenarë gjithmonë kolegët e tij, bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë bartësit  e institucioneve.