Presidenti: Diaspora mbështeti çlirimin, pavarësinë dhe mirëqenien e shqiptarëve

Tiranë, 18 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, ka marrë sot pjesë në samitin e diasporës, që është organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Para shumë përfaqësuesve të diasporës, presidenti Thaçi ka thënë se qysh nga koha e rilindjes kombëtare, diaspora shqiptare ka qenë një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

"Përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës ishin gjithmonë të mbështetura nga diaspora, si përmes lobimit politik në qendrat vendimmarrëse botërore, po ashtu edhe me përkrahjen financiare, logjistike dhe njerëzore që kulmoi në përkrahjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka shtuar ai.

Në këtë samit, presidenti ka kujtuar Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën, Enver Hadrin, Agim Ramadanin e qindra dëshmorë që kanë rënë në përpjekjet për çlirim.

Më tej ai ka theksuar se në ditët e sotme, roli i diasporës ka ndryshuar. Sipas tij,  nga përkrahëse e luftës për liri e demokraci, diaspora është shndërruar në burim të stabilitetit socio-ekonomik.

"Ne të gjithë duhet të punojmë që diaspora shqiptare, me potencialin e madh që ka, të shndërrohet në partner i zhvillimit socio-ekonomik, arsimor, profesional, kulturor e sportiv të shteteve tona", ka thënë ai.

Presidenti ka theksuar se vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe burrat tanë në diasporë sot janë të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga arti, kultura, muzika, sporti e deri te jeta akademike dhe profesionale, politika dhe biznesi. 

"Dhe, duke qenë njerëz punëtorë e të ndershëm, ata janë ambasadorët më të mirë të kombit dhe atdheut të tyre. Sot, diaspora shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për një riorganizim të saj, ndërsa shtetet tona kanë nevojë për të krijuar infrastrukturë sa më të mirë dhe për të qenë partner i përhershëm i bashkatdhetarëve tanë", ka shtuar ai.

Presidenti ka thënë se si dy shtete kemi obligim që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës sonë dhe t’u shtrijmë atyre dorën e ngrohtë të shteteve tona.

Sipas tij, ekziston nevoja që diaspora të jetë edhe më shumë e përfshirë në jetën institucionale të vendit.

"Prandaj, në këtë frymë, në kuadër të punës për reformën zgjedhore, do ta trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën", ka paralajmëruar presidenti.

Thaçi ka thënë se nën modelin e bashkëpunimit të shkëlqyer të organizimit të takimeve në mes të dy qeverive, samitin e  ardhshëm të diasporës do ta organizojmë ne Prishtinë.