Presidenca sqaron “ridërgimin” e komunikatave të vjetra, probleme në rrjetin shtetëror

Prishtinë, 6 nëntor 2017 - Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës njofton mjetet e informimit se për shkaqe ende të paqarta, atyre u janë ridërguar vetvetiu nga rrjeti shtetëror disa njoftime dhe komunikata të vjetra.

Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës sqaron publikun se rrjeti i shërbimeve të IT-së së Presidencës së Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe ata tani janë duke punuar në identifikimin e problemit dhe rregullimin e rrjetit shtetëror, ku përfshihen edhe emailet zyrtare të presidencës.

Për të evituar lajthitjen e publikut, duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës, kërkon prej gazetarëve që të mos merren parasysh njoftimet dhe komunikatat e vjetra, të cilat në tekst e kanë edhe datën e publikimit të tyre.