Intervistë e Presidentes Jahjaga për gazetën “Epoka e Re”

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se pas konstituimit të institucioneve të reja, pas gjashtë muajve bllokadë institucionale, Kosova ka pasur rënie dhe ngritje, si dhe zhvillime sa të mëdha, po aq të rënda që kanë ndikuar në jetën e qytetarëve dhe në procesin e shtetndërtimit.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” Jahjaga ka thënë se është e vetëdijshme se pavarësia nuk i ka përmbushur të gjitha pritjet, por ndërtimi i shtetit, sipas saj, është proces i rëndë dhe i mundimshëm, që kërkon durim.
Presidentja e vendit ka thënë se nuk duhet harruar se Kosova është ende një vend i varfër, i pazhvilluar ekonomikisht, i goditur nga fenomenet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Sipas Jahjagës, institucionet e vendit janë duke bërë përpjekje të integrimit të të gjitha komuniteteve në shoqërinë tonë, në veçanti të komunitetit serb, që sot jeton në pjesën veriore të vendit. Duke folur për migrimin e qytetarëve, presidentja Jahjaga ka thënë se ky fenomen ka ndodhur si pasojë e vonesës në krijimin e institucioneve të reja. “Fakti se nuk kemi pasur institucione, ka bërë që grupe të caktuara kriminale t’i gjejnë mënyrat e veprimit dhe të përfitojnë mbi kurrizin e qytetarëve tanë, që kanë kërkuar mënyra të ikjes nga vendi i tyre. Unë kam bërë përpjekje të vazhdueshme të jem pranë qytetarëve të vendit pikërisht në periudhën më të rëndë, t’u kërkoj që së bashku ta vazhdojmë rrugën e ndërtimit të shtetit, t’u kërkoj ta kalojmë këtë fazë të rëndë dhe të besojmë së bashku në të ardhmen më të mirë, në një Kosovë të përparuar dhe të zhvilluar”, është shprehur Jahjaga. Ajo ka thënë se tani jemi në një periudhë kur na duhet ta dëshmojmë forcën e shtetit të së drejtës, “ashtu siç e duan qytetarët tanë, një shtet të zhvilluar, të përparuar, ku sundojnë rendi dhe ligji, ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Pra, një shtet ku të rinjtë tanë do ta gjejnë veten dhe perspektivën e tyre dhe nuk do të kërkojnë mënyra e rrugë të tjera për të ikur prej tij”, ka deklaruar Jahjaga. 
Presidentja e vendit ka bërë me dije se për themelimin e Gjykatës Speciale duhet një konsensus i përgjithshëm shoqëror. “Neve na duhet një konsensus i përgjithshëm shoqëror për këtë çështje dhe një pajtueshmëri në shoqëri për përmbylljen e këtij kapitulli të rëndë, që do të adresojë krime të pretenduara të individëve”, ka thënë Jahjaga, duke shtuar se kjo gjykatë do të merret vetëm me rastet individuale, assesi me luftën për liri dhe pavarësi. “Gjykata Speciale do të merret me raste të veçanta, individuale, e jo me përpjekjet kolektive për liri dhe pavarësi, assesi me pastërtinë e luftës dhe të UÇK-së”, ka thënë e para e vendit. Në pyetjen nëse Gjykata Speciale e cenon rendin kushtetues të Kosovës, Jahjaga ka thënë se do të cenohej rendi kushtetues në rast se do të lejohej që një tjetër instancë ta themelonte Gjykatën Speciale, duke injoruar institucionet e vendit dhe duke funksionuar jashtë sistemit juridik të vendit. 
Duke folur për sistemin e drejtësisë në vend, presidentja Jahjaga ka thënë se na duhet një sistem plotësisht i pavarur i drejtësisë në vend, i pandikuar dhe i paanshëm politikisht, me njerëz që janë profesionistë dhe që ligjin e zbatojnë në tërësi. “Pra, një sistem që nuk grumbullon lëndët për vite të tëra, një sistem që nuk bie në ndikime të ndryshme, një sistem i drejtësisë që është në funksion të qytetarit e për qytetarin. Nuk jam shumë e sigurt se e kemi ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë”, është shprehur ajo.
Presidentja Jahjaga ka bërë me dije se si shtet nuk mund të ecim as në procesin e liberalizimit të vizave po qe se nuk vendosim sundimin e ligjit dhe të rendit, në çdo cep të Republikës së Kosovës. “Duhet ta kuptojmë se nuk ka shtet demokratik, të zhvilluar e të përparuar pa sundim të ligjit”, ka thënë Jahjaga. 

“Epoka e re”: Znj. Jahjaga, si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike në Kosovë, sidomos pas konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit nacionale dhe migrimit masiv të qytetarëve?

Jahjaga:
Ka pasur rënie dhe ngritje dhe zhvillime, sa të mëdha, po aq të rënda që kanë ndikuar thellësisht në jetën e qytetarëve, në procesin e demokratizimit të vendit dhe të shtetndërtimit. Ju i keni ndërlidhur dy prej zhvillimeve në vend, edhe krijimin e institucioneve dhe, pothuajse njëkohësisht, edhe një prej çështjeve më të dhimbshme në vitet e fundit, migrimin ilegal të qytetarëve tanë. Gjatë gjithë periudhës së krizës politike, prej më shumë se gjashtë muajsh, kam tërhequr vërejtjen për pasojat që mund të lë zgjatja e krijimit të institucioneve, sado që e kam cilësuar si një periudhë të pjekurisë politike në vend. Fakti se nuk kemi pasur institucione, ka bërë që grupe të caktuara kriminale t’i gjejnë mënyrat e veprimit dhe të përfitojnë mbi kurrizin e qytetarëve tanë, që kanë kërkuar mënyra të ikjes nga vendi i tyre. Unë kam bërë përpjekje të vazhdueshme të jem pranë qytetarëve të vendit pikërisht në periudhën më të rëndë, t’u kërkoj që së bashku ta vazhdojmë rrugën e ndërtimit të shtetit, t’u kërkoj ta kalojmë këtë fazë të rëndë dhe të besojmë së bashku në të ardhmen më të mirë, në një Kosovë të përparuar dhe të zhvilluar. Unë e di se pavarësia nuk i ka përmbushur të gjitha pritjet, por ndërtimi i shtetit është proces, një proces i rëndë dhe i mundimshëm, që kërkon durim. Mos të harrojmë se Kosova është ende një vend i varfër, i pazhvilluar ekonomikisht, i goditur nga fenomenet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ne ende po bëjmë përpjekje të integrimit të të gjitha komuniteteve në shoqërinë tonë, në veçanti të komunitetit serb, që sot jeton në pjesën veriore të vendit. Nuk është se nuk kemi arritur suksese në rrugën e shtetndërtimit: ne e kemi konsoliduar demokracinë tonë dhe praninë tonë ndërkombëtare, kemi arritur të bëhemi faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, kemi arritur të bëhemi pjesë e rëndësishme e nismave globale edhe në fushën e sigurisë, edhe në fushën e të drejtave të njeriut. Kemi arritur ta ruajmë stabilitetin e brendshëm dhe të ndërtojmë një shoqëri edhe shumë kulturore, shumë fetare dhe shumetnike. Ne sot po kërkojmë mënyra se si ta rimëkëmbim ekonominë, që do të ndihmojë në hapjen e vendeve të reja të punës; po punojmë tani për krijimin e një klime të fortë të mirëbesimit për të tërhequr investitorë të huaj, të cilët, të jemi të sinqertë, i kemi ndjekur, me pamundësimin e bërjes së biznesit. Tani jemi në një periudhë kur na duhet ta dëshmojmë forcën e shtetit të së drejtës, ashtu siç e duan qytetarët tanë, një shtet të zhvilluar, të përparuar, ku sundojnë rendi dhe ligji, ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Pra, një shtet ku të rinjtë tanë do ta gjejnë vetën dhe perspektivën e tyre dhe nuk do të kërkojnë mënyra e rrugë të tjera për të ikur prej tij. 

“Epoka e re”: Temë qendrore në Kosovë është themelimi i Gjykatës Speciale. Për këtë çështje kryeministri Mustafa është ftuar në interpelancë parlamentare, ku ka folur për domosdoshmërinë e themelimit të kësaj gjykate. Personalisht, vlerësoni se do të duhej të themelohej Gjykata Speciale?

Jahjaga:
Nuk dua t’i paragjykoj veprimet e drejtësisë. Duke kërkuar krijimin e një shteti të së drejtës, konsideroj se është e nevojshme t’i adresojmë sfidat që ndodhen përpara nesh. Ne kemi një vendim të Kuvendit të Kosovës, që është marrë me votat e 2/3 të deputetëve që e kanë miratuar Marrëveshjen Ndërkombëtare dhe duhet ta respektojmë atë. E di sa e rëndë është e gjithë kjo çështje rreth Gjykatës Speciale, por një gjë ta kuptojmë: ne duhet ta përmbyllim njëherë e përgjithmonë këtë kapitull të historisë së akuzave e të dyshimeve për krime të pretenduara. Gjykata Speciale do të merret me raste të veçanta, individuale, e jo me përpjekjet kolektive për liri dhe pavarësi, assesi me pastërtinë e luftës dhe të UÇK-së.

“Epoka e re”: Mund të ketë pasoja për Kosovën në rast se Kuvendi dështon ta themelojë këtë gjykatë?


Jahjaga: Neve na duhet një konsensus i përgjithshëm shoqëror për këtë çështje dhe një pajtueshmëri në shoqëri për përmbylljen e këtij kapitulli të rëndë, që do të adresojë krime të pretenduara të individëve. Bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, kam bërë bashkërendimin institucional, duke takuar bartësit e institucioneve të vendit, që ka ndihmuar në krijimin e grupit teknik. Gjithashtu ,kam takuar edhe disa nga përfaqësuesit e partive politike opozitare, pastaj të shoqërisë civile, për ta arritur pikërisht këtë konsensus shoqëror. Prandaj, them se Gjykata Speciale krijohet me kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës dhe në bashkërendim me institucionet e vendit, nëpërmjet miratimit edhe të Kuvendit të Kosovës, ashtu siç ka ndodhur edhe kur është votuar me më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të marrëveshjes ndërkombëtare për krijimin e Gjykatës Speciale. Pra, një përpjekje e përbashkët e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare. Tani, nëse kujtojmë se cilat janë alternativat e tjera, le ta bëjmë të qartë: e duam një gjykatë që funksionon sipas kuadrit ligjor të Kosovës, apo e duam një gjykatë që mund të krijohet pa i pyetur institucionet tona, me ligje e mënyra të veprimit të paracaktuara nga të tjerët. Le të besojmë në drejtësi pa e paragjykuar asnjë veprim të saj dhe le t’i zbatojmë vendimet e institucioneve tona, siç është marrëveshja ndërkombëtare e miratuar me shumicë dërrmuese votash në Kuvend. 

“Epoka e re”: Kjo Gjykatë Speciale e cenon rendin kushtetues të Kosovës?

Jahjaga: Do të cenohej në rast se do të lejohej që një tjetër instancë ta krijonte Gjykatën Speciale, duke injoruar institucionet e vendit dhe duke funksionuar jashtë sistemit juridik të vendit. 

“Epoka e re”: Presidente Jahjaga, nga optika juaj, si jeni duke e parë dinamizmin institucional në aspektin e integrimeve evropiane, zhvillimit ekonomik e demokratik dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Jahjaga: Keni përmbledhur shumë çështje brenda një pyetjeje. Sundimi i ligjit dhe rendit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, do t’i avancojnë të gjitha proceset tona integruese. Na duhet më shumë përkushtim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo do të thotë më shumë rezultate konkrete. Angazhimi në këtë luftë është i përbashkët, edhe i institucioneve, edhe i gjithë shoqërisë. Askush nuk mund të vihet mbi ligjin. Prandaj, ka ardhur koha të tregojmë se ndërtimin e shtetit nuk mund ta pengojë askush. Unë kam bërë bashkërendimin e institucioneve të vendit nëpërmjet Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, me besimin se do ta mundim këtë të keqe. Kam kërkuar sërish nga të gjitha institucionet përgjegjëse t’i shtojnë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të tregojnë rezultate. Por, neve na duhet një sistem plotësisht i pavarur i drejtësisë në vend, i pandikuar dhe i paanshëm politikisht, me njerëz që janë profesionistë dhe që ligjin e zbatojnë në tërësi. Ky sistem i drejtësisë duhet ta garantojë ndërtimin e shtetit tonë të së drejtës dhe rrugën tonë të integrimeve dhe të zhvillimit. Pra, një sistem që nuk grumbullon lëndët për vite të tëra, një sistem që nuk bie në ndikime të ndryshme, një sistem të drejtësisë që është në funksion të qytetarit e për qytetarin. Nuk jam shumë e sigurt se e kemi ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë. Gjithnjë e kam theksuar faktin se sa më larg që ne - këtu mendoj në politikë - të qëndrojmë prej këtij sistemi aq më e mirë do të jetë për të dhe aq më shpejt do të mund ta garantojmë zbatimin e ligjit. Çdo gjë është e ndërlidhur me sundimin e ligjit dhe të rendit. Zhvillimi ekonomik, krijimi i klimës së mirë për biznes, investimet e huaja, të gjitha janë të ndërlidhura me sigurinë, që nënkupton shtet të së drejtës. Integrimet evropiane sërish janë të ndërlidhura me sundimin e ligjit. Nuk mund të ecim as në procesin e liberalizimit të vizave po qe se nuk vendosim sundimin e ligjit dhe të rendit në çdo cep të Republikës së Kosovës. Duhet ta kuptojmë se nuk ka shtet demokratik, të zhvilluar e të përparuar, pa sundim të ligjit. 

“Epoka e re”: Cili do të jetë aktiviteti juaj politik pas përfundimit të mandatit tuaj si presidente e Republikës? Keni menduar t’i bashkoheni ndonjë subjekti politik?

Jahjaga: Duket sikur është bërë e pashmangshme një pyetje e këtillë. Më lejoni ta kryej mandatin tim deri në prill të vitit të ardhshëm. Jam shumë e përqendruar në punët që tani kam në mandatin tim aktual.