Fjalimi i presidentit Thaçi në Javën e Gruas 2017

Fillimisht më lejoni të ju falënderoj shumë për organizimin e Javës së Gruas, si një pikë kulmore në kalendarin e politikbërjes në fushën e barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave në skenën politike kosovare.

Jemi shumë krenar, por edhe të vetëdijshëm se shumë aktivitete dhe shumë suksese gjatë viteve të lirisë dhe pavarësisë në fushën e vetëdijesimit për të drejtat e grave në shoqërinë tonë, janë rezultat i punës së përbashkët në mes të NDI-së, USAID-it dhe komunitetit të grave kosovare në politikë, shoqëri civile dhe biznes.
   
Java e Gruas është një nismë fisnike dhe e duhur, sepse ky aktivitet sjell së bashku përfaqësues nga të gjitha subjektet politike, nga shoqëria dhe sektori i biznesit, si dhe tashmë është e njohur si një platformë ku pjesëmarrësit tejkalojnë përkatësinë partiake, etnike apo bindjet politike dhe angazhohen së bashku për trajtimin e çështjeve me interes për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
   
Mendoj se temat që mbulohen këtë javë janë të rëndësisë esenciale për të shtyrë progresin e përfaqësimit gjinorë dhe barazisë gjinore – prej ndarjes së buxhetit që reflekton përgjegjshëm barazinë gjinore dhe zhvillimin e programeve për mbështetjen e grave ndërmarrëse, e deri tek reformat në drejtësi që dënojnë kriminelët mburravecë që atakojnë gruan, si në familje, ashtu edhe në vend të punës.

Megjithatë, mendoj se është me rëndësi që sot, këtu me juve, të flas për disa pika të politikës nacionale që prekin bashkërisht të gjithë njerëzit, pavarësisht gjinisë apo etnisë.

Nuk mendoj se ne duhet të kemi tema të politikës për femra apo se temat që diskutohen sot në kontekstin politik, nga demarkacioni e liberalizimi i vizave e deri tek transformimi i FSK-së apo reformat në sistemin e drejtësisë – janë tema mashkullore apo femërore.

Ne jemi shteti i parë në Ballkan që ka pasur Komandantin Suprem të FSK-së një grua, zonjën Atifete Jahjaga – të cilën gjithmonë e kam përmendur si shembull të suksesit të luftës për të drejta dhe përfaqësim të barabartë gjinorë.

Sot, në tryezat e drekës apo pranë televizorit, debati politik nuk është i ngushtuar vetëm në oda burrash, por projektohet në rrjete sociale, në biseda ku femrat kanë qëndrime po aq të forta dhe të argumentuara sikurse edhe meshkujt.

Më lejoni pra, në frymën e një diskutimi mbarëshoqëror të ofroj disa pika të diskutimit që mund të jenë me interes për juve në këtë forum, por edhe në aktivitetet tjera të Javës së Gruas:

Së pari, Kosova sivjet hyn në një cikël të ri zgjedhor në nivel lokal, ndërsa po shoh prej atmosferës në mes të partive politike që kanë filluar të debatojnë, duke pasur vëmendjen edhe kah zgjedhjet nacionale, pavarësisht nëse mbahen në afat të rregullt më 2018 apo më herët.

Unë kam iniciuar një reformë elektorale, pavarësisht këtij kalendari, sepse mendoj se ka ardhur koha ta analizojmë situatën pas disa palë zgjedhjeve nacionale dhe lokale të organizuara pas shpalljes së pavarësisë.

Nuk ka dyshim që ka pasur progres të madh në organizimin e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka fituar një eksperiencë të duhur dhe deficitet e treguara në zgjedhjet e pas pavarësisë tashmë janë reduktuar në minimum.
   
Askush në Kosovë nuk dyshon në rezultatet e zgjedhjeve sa i përket pozicionimit të partive.

Por, njëkohësisht, nuk mund t’i mbyllim sytë dhe veshtë para faktit që brenda listave ka akuza të mëdha për ndikime dhe për manipulime, ku viktimat më të mëdha janë mu femrat.

Në disa momente duket thua se e pranueshme që votat nga kandidatet femra të derdhen kah kandidatët meshkuj.

Ky fenomen është regjistruar tek të gjitha partitë dhe në të gjitha komunat.

Mendoj se ka mundësi që sistemi të thjeshtohet, që numërimi i votave të kandidatëve të jetë më i shpejtë dhe plotësisht i dekriminalizuar dhe se reformat elektorale duhet të sjellin një kualitet më të madh në Kuvendin e Kosovës, por edhe në nivelin lokal.

Nuk mjafton vetëm një grua kryetare dhe nuk mjaftojnë vetëm 30% të karrigeve obligative, sepse potenciali i gruas kosovare është shumë më i madh.

Nuk e di nëse do të arrijmë të plotësojmë, debatojmë dhe aprovojmë këtë reformë elektorale, por e di që ky proces duhet të filloj dhe duhet të ketë një mbarim të logjikshëm – një sistem të thjeshtë elektoral, demokratik, transparent dhe të fokusuar në forcimin e votës popullore dhe dobësimin e presioneve të ndryshme.

Mendoj se ju, të nderuara gra nga politika, por edhe nga shoqëria civile duhet të jepni një kontribut domethënës dhe të fuqishëm në këtë proces.

Së dyti,  duhet ta diskutoni dhe të më ndihmoni edhe në reflektimet e mia për çështjen e transformimit të FSK-së.

Jam i vetëdijshëm që kjo temë dhe kjo nismë ka sjellë një debat të çuditshëm – shumica absolute e kosovarëve si shumicë, ashtu edhe të etnive joshumicë, e kanë përkrahur këtë propozim dhe draftligj, por kemi pranuar edhe një seri vërejtjesh nga miqtë e Kosovës dhe kontribuuesit kryesorë të lirisë dhe pavarësisë sonë.

Jam i lumtur që vërejtjet nuk kanë të bëjnë me të drejtën tonë që të kemi ushtri, a të jemi të sigurtë dhe të mendojmë për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë, por vetëm për metodologjinë dhe kronologjinë e hapave.
   
Draftligji që kam dërguar për FSK-në është i bazuar në një proces, në reformimin e arkitekturës së sigurisë, që ka filluar që nga shpallja e pavarësisë dhe që ka rezultuar me rekomandim të themelimit të ushtrisë që në vitin 2014.

Megjithatë, sot situata në rajon dhe botë nuk është e njëjta.

Nuk kemi sesi mos të reflektojmë në rolin e rritur të Rusisë, në diskursin dhe veprimet agresive të Serbisë apo në rritjen e pasigurisë ekzistenciale në BE dhe NATO. 

Kosova jonë nuk është kurrë e sigurt 100% deri sa të njihemi si të pavarur dhe sovran nga të gjithë fqinjët tanë.

Kosova jonë kurrë nuk do të harrojë të kaluarën tonë, gjenocidin, vrasjet dhe dhunimet, deri sa gjuha dhe veprimet e fqinjëve të jenë të bazuara me të vërtetë në fqinjësi të mirë.

Unë vetë kam udhëhequr dialogun me Serbinë, unë vetë jam nismëtar që ne të flasim për të kaluarën dhe për pajtimin dhe të shtrijmë dorën e pajtimit ndaj ish-armikut, por këto veprime tona dhe ky dedikim i yni ndaj paqes dhe dialogut duhet të përcillet me një garanci që e kaluara kurrë më nuk do të përsëritet.

Dua që serbët e Kosovës të jenë pjesë e këtij procesi, që me Kushtetutë ta ndryshojmë emrin dhe FSK-ja të quhet me emër të mirëfilltë, si Forcë e Armatosura e Kosovës, por në anën tjetër ne nuk e kemi pranuar Ahtisaarin dhe nuk kemi draftuar Kushtetutën tonë që ajo të na bllokoj në progres apo që të ketë dikush veto mbi sigurinë tonë.

Veto mbi sigurinë e Republikës së Kosovës askush nuk mund të ketë.

Ne mund të presim ditë apo javë që të gjendet gjuha e përbashkët, por gjithsesi nuk do të presim për vite që të fillojmë procesin e transformimit të FSK-së.

Edhe këtu mendoj se zëri i gruas është i nevojshëm. Sektori i sigurisë nuk është i plotë pa pasur të përfshirë edhe zërin e gruas.

Janë nënat e Kosovës ato që kërkojnë siguri për djemtë e tyre, dhe janë nënat dhe gratë kosovare, pavarësisht etnive, ato që duhet të jenë kontribuuese në arkitekturën e sigurisë.

Transformimi i FSK-së nuk është një produkt që bëhet për një ditë apo me një ligj. Ky është një proces që do të zgjasë me vite të tëra. Ne po flasim për fillim të një procesi gjithëpërfshirës dhe të kujdesshëm.

Nuk kemi para për të shpenzuar kot. As kohë nuk kemi për të shpenzuar, sepse tepër kemi shpenzuar, duhet të lëvizim përpara dhe jam i bindur që me ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s do të lëvizim përpara.
   
Së treti, fokusi ynë duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

Unë më nuk marrë pjesë në politika partiake dhe nuk prononcohem për programet e partive, por e di se krijimi i vendeve të punës është një brengë, një sfidë dhe një preokupim i të gjithë qytetarëve të Kosovës, si në jug, ashtu edhe në veri, si shqiptarë, ashtu edhe serbë, boshnjakë, turq, romë apo të etnive tjera.

Pjesëmarrja e grave në treg të punës është ende papranueshëm e ultë. Një nga tragjeditë më të mëdha sot në Kosovë nuk i takon dhunës ndëretnike – aty ka pasur progres fondamental vitet e fundit, sidomos pas Marrëveshjes së Brukselit.

Jo, tragjedia është e situatave kur me vite të tëra shumë qytetarë të Kosovës nuk mund të gjejnë punë dhe kjo prek sidomos gratë kosovare.

Shumë prej tyre nuk mund të gjejnë punë, ndërsa shumë të tjera janë në presion të papranueshëm që të fokusohen në punë shtëpiake nga familja dhe rrethi i tyre.

Prandaj ftoj të nderuarat gra deputete që të jenë insistuese që ligjet dhe reformat fiskale dhe ekonomike të kenë obligative buxhetimin gjinor.

E falënderoj shumë USAID-in dhe Ambasadën Amerikane për ndihmën e madhe që kanë dhënë në punësimin e grave, por politika kosovare duhet të bëjë edhe më shumë në këtë fushë.

Jam optimist se edhe programet që priten në të ardhmen, sikurse fondi MCC, do të luajnë një rol pozitiv në përfshirjen gjinore në ekonomi, por mendoj se ne të gjithë së bashku kemi edhe shumë të bëjmë që të përmirësojmë situatën e punësimit. Ndoshta statistikat edhe nuk janë më të saktat, por gjithsesi të gjithë e dimë se ende duhet të bëhet shumë, që në Kosovë çdokush të ketë mundësinë që me mundin dhe djersën e vet, të ushqej familjen dhe të ofroj siguri për fëmijët dhe familjen e vet.

Të nderuar organizatorë,

Këto janë disa pika që desha t'i ndaj sot me juve, por natyrisht diskutimi nuk fillon dhe nuk mbaron me këto.

 Agjenda e juaj është shumë e ngjeshur, shumë tema janë të përfshira dhe Java e Gruas premton të sjell kualitet të ri në diskutimin e çështjeve prioritare, nga shëndetësia e deri tek arsimi dhe ekonomia, por mendoj se përfaqësueset politike të të gjitha partive që shoh këtu, sot janë të afta dhe të gatshme t’i udhëheqin këto procese.

Ju falënderoj edhe një herë për ftesën dhe me këtë rast uroj që në ditët dhe javët e ardhshme të bashkëbisedojmë sesi mund ta shtyjmë agjendën tonë të përbashkët të barazisë gjinore përpara.