presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës mbajti punëtorinë për shkëmbimin e përvojave midis Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës

Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, në bashkëpunim me Zyrën ligjore në Zyrës e Kryeministrit dhe UNWOMEN, ka mbajtur punëtorinë dyditore për shkëmbimin e përvojave midis Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës lidhur me dhunën seksuale gjatë luftës.

Pjesëmarrës në punëtori, përpos delegacionit nga Bosnja dhe Hercegovina nga sektori publik dhe civil, ishin anëtarët e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nga institucionet qeveritare dhe organizatat joqeveritare të grave, si dhe përfaqësues të UNWOMEN nga Prishtina, Tirana dhe New Yorku.

Në këtë punëtori u shkëmbyen përvojat dhe praktikat më të mira për rehabilitimin, riintegrimin dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, përmes programeve dhe proceseve të ndryshme të reparacionit.

Vëmendje e posaçme iu kushtua diskutimit rreth hartimit të legjislacionit dytësor dhe procedurat standarde operative për zbatimin e ligjit në fuqi duke ndarë përvojat rreth njohjes së statusit së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjate luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Me rëndësi të veçantë u cilësua nevoja e vazhdimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit në mes institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare.

Me përkrahjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, dhe në veçanti nga Zyra e Presidentes, UNWOMEN dhe OHCHR, Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, ka filluar procesin e hartimit të akteve nënligjore të domosdoshme për zbatimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, me të cilin ligjërisht njihet statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.