Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropian dhe e mirëpres kontributin Tuaj mbi “Përmbushjen e kritereve afatshkurtra që dalin nga Studimi i Fizibilitetit për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Krasniqi,
I nderuari kryeministër, z.Thaçi,
I nderuari z. Zhbogar,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropian,
Të nderuar përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 
Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropian dhe e mirëpres kontributin Tuaj  mbi “Përmbushjen e kritereve afatshkurtra që dalin nga Studimi i Fizibilitetit për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.
 
Angazhimi  gjithëpërfshirës: i institucioneve, spektrit politik, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe të  biznesit për të bërë reformat e domosdoshme në të gjitha fushat duke e shndërruar atë në standard të jetës dhe të punës jo si parakusht për integrimin evropian por si nevojë dhe përcaktim të shoqërisë sonë  është thelbësor për rrugën tonë të integrimeve evropiane.
 
Agjenda evropiane e Republikës së Kosovës tashmë është shndërruar në një plan të punës për të gjithë shoqërinë duke konsideruar se integrimi në BE është nxitje për arritjen e qëllimeve më të rëndësishme të shoqërisë sonë, për stabilitet politik, respektim të të drejtave të njeriut dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. 
 
Kemi hyrë në një periudhë të rëndësishme për vendin, me avancim të theksuar në fusha të shumta, duke e sjellë Kosovën në fokus të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon falë reformave, mbështetjes gjithëpërfshirëse dhe vendosmërisë së treguar të të gjithë spektrit politik dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës
 
Komisioni Evropian ka  konfirmuar se vendi ynë ka bërë përparim të theksuar në rrugën e anëtarësimit në BE, duke theksuar faktin se Kosova është e gatshme për të hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me  përmbushjen e kritereve specifike afatshkurtra në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së pakicave dhe tregtisë.
 
Në mbledhjen e djeshme të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, në kuadër të detyrave për Kosovën, është thënë që duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me EULEX-in, si dhe lufta kundër korrupsionit të mbështetet me dëshmi konkrete.
 
Kosova tashmë është në përfundim të plotësimit të këtyre kritereve.
 
Më këtë rast dëshiroj të theksoj gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që të vazhdojmë në përmbushjen e të gjitha reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian që janë edhe kërkesa të qytetarëve të vendit tonë.
 
Republika e Kosovës po ec me hapa të sigurt drejt vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e  Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ne bëjmë hapin e parë dhe shumë të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit të plotë në këtë union.
 
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit gjithashtu do t’i mundësojë Kosovës një perspektivë afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke përmirësuar pozicionin tregtar të Kosovës si dhe duke ofruar stabilitet për investitorët e jashtëm.
 
Kjo do të ketë ndikim të rëndësishëm në përparimin e proceseve demokratike, nxitjen e reformave të brendshme dhe në thellimin e bashkëpunimit reciprok politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Procesi i njohjeve për Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm sepse me këtë ne vendosim marrëdhënie bilaterale me shtetet e tjera dhe bëjmë marrëveshje në fushat e ndryshme, duke forcuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe duke i krijuar kushtet që të bëhemi anëtar i organizatave dhe i mekanizmave rajonal dhe global.
 
Anëtarësimi i shtetit tonë në BERZH do t’i ndihmojë Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës së vendit, kushteve për biznes si dhe thellimin e reformave të nevojshme drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë.
 
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
 
Republika e Kosovës  si shtet në tranzicion, përveç sukseseve evidente, po ballafaqohet edhe me disa dukuri që pengojnë rrugën tonë të integrimeve euroatlantike. Të vetëdijshëm për këtë institucionet e Republikës së Kosovës janë të  vendosura që të jenë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive të tjera negative, duke treguar përkushtim të plotë që këtë luftë ta fitojmë.
 
Ne po ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm, të fortë dhe të pavarur të drejtësisë, një sistem ku të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit, një sistem që Kosovën e forcon si  shtet ligjor me demokraci të zhvilluar.        
 
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
 
Kosova shtet sovran dhe i pavarur është një realitet tashmë i pranuar dhe është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti duke dhënë kontribut në të gjitha proceset rajonale dhe ndërkombëtare.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të forcojë pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale dhe do të thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë edhe Republikën e Serbisë.
 
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me përkrahjen e fuqishme  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës  ndërmjet Republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë është duke u zhvilluar dialogu që ka rezultuar me arritjen e disa marrëveshjeve ndër të cilat edhe marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit që tashmë ka filluar të zbatohet. I gjithë ky proces i dialogut ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është në të mirën e dy vendeve dhe të gjithë qytetarëve, që forcon paqen dhe  stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
 
Kjo është një rrugë që nuk ka alternativë dhe ne do të qëndrojmë në të. Është inkurajuese që nga perspektiva e Bashkimit Evropian na porosisin se është e rëndësishme të gjithë të kuptojmë se integriteti territorial i vendeve pjesëmarrëse në dialog është i padiskutueshëm.
 
Si rajon, sot kemi një rast unik që t’i ofrojmë qytetarëve tanë të ardhme më të mirë, të bashkohemi rreth platformës së integrimit dhe prosperitetit, duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Procesi i integrimit në BE dhe NATO do të na ndihmojë në realizimin e kësaj ëndrre tonë të përbashkët dhe do të avancojë të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon rajoni.
 
Ne i shprehim mirënjohjen institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve anëtare për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të perspektivës së qartë evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
 
Ju faleminderit!