Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

Nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, sot u mbajt takimi inaugurues i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian. Në takim marrin pjesë edhe z.Štefan Füle, Komisioner për Zgjerim i BE-së, z.Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës, zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të vendit, udhëheqës të partive politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në këtë takim, z.Fyle u dorëzoi udhëheqësve të vendit Dokumentin e fillimit të Studimit të Fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për Kosovën.
 
Para fillimit të takimit inaugurues të Këshillit, Presidentja Jahjaga pati një takim të veçantë me z.Štefan Füle, Komisioner për Zgjerim i BE-së, me të cilin bisedoi për një varg çështjesh me interes, për punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, rolin e tij, për integrimin e mëtejshëm të minoriteteve, për dialogun dhe domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të dala nga ky dialog e çështje të tjera.
 
Në vijim po e sjellim fjalën e Presidentes Jahjaga në takimin inaugurues:
 
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari Kryeministër,
I nderuari z. Mustafa,
I nderuari z. Fyle,
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
Të nderuar Ambasadorë të shteteve të Kuintit,
Media të nderuara,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e parë themelues të Këshillit kombëtar për Integrime Evropiane të Republikës së Kosovës, të cilin si Presidente e vendit e kam themeluar me Dekret të veçantë, duke përcaktuar edhe kompetencat dhe fushëveprimin.
 
Politika e jashtme e Republikës se Kosovës, dhe sidomos rruga e Integrimeve Evropiane, krahas bashkëpunimit dhe miqësisë, me Shtetet e Bashkuara te Amerikës, është jetike për vendin tonë, për rregullimin e brendshëm dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare që shihen si një proces unik dhe i tërësishëm.
 
Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është e ndërtuar ne parimin qytetar ku të gjithë njerëzit pa dallim të përkatësisë së tyre kombëtare, fetare, racore, pa dallim numrit dhe pa dallim se në cilën pjesë të vendit jetojnë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta.
 
Kosova dhe populli i saj është i orientuar dhe i përket civilizimit evropian, si përcaktim properëndimor i të gjithë qytetarëve pa dallim.
 
Rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO është synim dhe vullnet i yni për të cilin të gjitha grupimet politike por edhe të gjitha nacionalitetet që jetojnë këtu, kemi konsensus të plotë.
 
Jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se kjo rrugë nuk është shpërblim por është një mekanizëm gjithëpërfshirës i plotësimit të kushteve dhe standardeve, të cilat ne si institucione por edhe si shoqëri, i kemi marrë t’i përmbushim me vullnet.
 
Kjo rrugë nuk ka alternativë dhe ne si vend dhe si popull mund dhe duhet t’i japim kontributin arkitekturës Evropiane të kombeve të lira dhe të barabarta.
 
Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor apo e gjithë Evropa Juglindore kanë bërë përparime në rrugën e integrimeve evropiane, proces ky i pakthyeshëm që i sjell dobi të gjitha vendeve të rajonit.
 
Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane, i cili funksionon nën autoritetin e Presidentes së vendit, ka për qellim që në mënyrë efikase dhe konkrete të koordinojë dhe të harmonizojë politikat institucionale dhe të gjithë faktorëve të tjerë relevant.

Shoqëria civile në këtë mes ka një rol të rëndësishëm.
 
Përmbushja e procedurave, normave dhe e standardeve që aplikohen në të gjitha fushat e jetës dhe punës, me këtë angazhim tonin, do të jetë më e shpejtë, dhe më e plotë.
 
Të nderuar,
 
Integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian është një proces me rëndësi të shumëfishtë, jo vetëm për ne si shtet dhe si shoqëri e re, por edhe për të gjitha vendet e rajonit dhe gjithsesi edhe për vet Bashkimin Evropian, sepse procesi nuk konsiderohet i suksesshëm pa anëtarësimin e plotë të të gjitha Shteteve të Ballkanit Perëndimor.
 
Në këtë rrugë vendet duhet të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë njeri-tjetrin, sepse fqinjësia e mirë ndërmjet vendeve dhe popujve është parimi i artë i Evropës së Bashkuar dhe një ndër parakushtet kryesore të politikës së integrimit.
 
Për këtë - dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e kam mbështetur dhe e kam vlerësuar si tejet të dobishëm për dy vendet tona, sepse kjo është jo rruga më e mirë por rruga e vetme që ne t’ i normalizojmë marrëdhëniet mes vete dhe si të vetmen mënyrë që e detyrojmë Serbinë t’i përmbushë obligimet e veta, të pranojë realitetin e krijuar dhe të sillet konform rregullave dhe normave ndërkombëtare në politiken e saj fqinjësore.
 
Ne si institucione e kemi përkushtimin dhe vullnetin dhe kemi ndërtuar edhe mekanizmat që secilin obligim tonin ta përmbushim në dobi të qytetarëve tanë.
 
Në politikat tona jemi krejtësisht transparentë, i marrim me seriozitetin më të madh raportet e progresit, të gjeturat e tij dhe i përditësojmë ato si detyra dhe obligime me afate konkrete të ndryshimeve dhe përmirësimeve.
 
Takimi i sotëm është shprehje dhe dëshmi se të gjithë ne, institucionet, partitë politike, komuniteti akademik, shoqëria civile, dhe të gjithë qytetarët kemi vullnetin për të kontribuar dhe për të marrë përgjegjësi, për të përshpejtuar dinamikën e integrimit evropian duke bashkuar përpjekjet tona për një proces të suksesshëm.
 
Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian, një mekanizëm gjithëpërfshirës, do të shërbejë në funksion të kësaj dhe ka për qëllim ndërtimin e konsensusit institucional dhe shoqëror, rekomandon konkretizimin e veprimeve në procesin e integrimit evropian dhe synon përkrahjen e nevojshme për zbatimin e reformave.
 
Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane e shpreh unitetin e gjithë spektrit politik në Kosovë.
 
Prandaj, në këtë fazë është thelbësore që ne të krijojmë një platformë politike dhe shoqërore, me qëllim që të sigurojmë përgjatë kësaj rruge një kurs të qartë dhe stabil për vendin drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
 
Si Presidente e vendit do të ndërmarrë çdo veprim kushtetues dhe ligjor që shton efikasitetin dhe efektivitetin e punës së institucioneve dhe shoqërisë, për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin konkret në përshpejtimin e dinamikës së integrimit në Bashkimin Evropian.
 
Si institucione, si shoqëri dhe si individë, të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar që secili, aty ku është, të kontribuojë që Kosova të jetë një vend i rendit dhe i sundimit të ligjit, të jetë një vend ku të gjithë e kemi për nder t’i realizojmë të gjitha ato detyra, të gjitha ato standarde dhe të gjitha ato kërkesa që vendin tonë e përparojnë në realizimin e synimeve me qëllim që sa më shpejt e sa më mirë të arrihet agjenda Evropiane dhe që Kosova të bëhet vend anëtar në Bashkimin Evropian.
 
Me këtë rast e vlerësoj kontributin e Ministrisë për Integrime Evropiane si përkushtim dhe si angazhim konkret, në përcjelljen dhe në zbatimin e gjithë asaj që është e nevojshme që Kosova sa më shpejtë të bëhet vend anëtar i Bashkimit Evropian.
 
Kosova dhe BE në marrëdhëniet ndërmjet tyre kanë bërë një hap tejet të rëndësishëm me lansimin e dialogut për Liberalizim të Vizave dhe fillimin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Ascociimit, që do të na mundësojë gjatë gjithë periudhës së ardhshme të bëjmë nj? analizë gjithëp?rfshir?se p?r gatishm?rin? tonë – politike, ekonomike dhe ligjore.
 
Kjo e fut Kosovën në kuadër të politikave t? Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor drejtë vendosjes s? marr?dh?nieve kontraktuale.
 
Jemi të nderuar që këtu sot e kemi Komisionerin për zgjerim të BE-së, z. Stefan Fyle, i cili do të flasë për rëndësinë e këtij procesi në të cilin gjendet Kosova, në rrugën e saj evropiane, që shënon fillimin e një faze t? re n? marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Kosovën që janë themeli i politikave t? BE-s? drejt Ballkanit Perëndimor dhe një hap vendimtar drejt an?tar?simit.
 
Si gjithherë në këtë rrugë do të jemi të gjithë së bashku të barabartë, secili në fushëveprimin e vet, duke dhënë kontributin me aq sa mundemi dhe me aq sa dimë, duke ndihmuar njëri tjetrin dhe duke respektuar gjithnjë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.
 
Ju dëshiroj suksese,
 
Ju faleminderit!