Fjalimi i presidentit Thaçi në Kuvendin e Kosovës për nëntëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Më lejoni të filloj duke ju uruar në këtë përvjetor të nëntë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më lejoni gjithashtu t’ua përcjelli urimet që kemi pranuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Jemi përherë mirënjohës për miqësinë tonë dhe për marrëdhënien tonë speciale.

Jemi krenarë të jemi partnerë dhe të ndajmë vlera dhe interesa të përbashkët për vendet tona, për botën.

Këshillat dhe ndihma amerikane kanë qenë gjithmonë në thelb të progresit tonë si shtet dhe komb.

Gjithashtu, më lejoni t’ju përcjell urimet e përzemërta edhe nga Lartmadhëria e saj, Mbretëresha Elizabeta, nga Lartmadhëria e Tij, Mbreti Harald i Norvegjisë, Lartmadhëria e tij, Mbreti Filip i Belgjikës, nga Shkëlqesia e tij, Sheiku Al-Sabah, Emir i Kuvajtit. Pastaj, nga presidenti Vander Bellen i Austrisë, nga presidenti Ader i Hungarisë, nga presidentja Grabar-Kitaroviq dhe presidenti i Malit të Zi, Vujanoviq.

I falënderojmë të gjithë krerët e shteteve e të qeverive të vendeve që kanë dërguar urimet e tyre për këtë ditë të shënuar.

Në fakt, kjo është ditë e shenjtë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë.

Është ditë kur janë kurorëzuar sakrifica dhe ëndrra që edhe qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë, të barabartë me të tjerët, në shtetin e tyre.

E kemi dëshiruar këtë ditë, jemi shkrirë për këtë ditë, kemi duruar për këtë ditë, jemi flijuar dhe kemi fituar për këtë ditë.

Sot, mendimi i parë, është për të gjithë ata që dhanë çdo gjë që patën që ne të gëzojmë këtë ditë.

Sot jemi më afër se çdo ditë tjetër me heronjtë tanë, me dëshmorët tanë, me familjet e dëshmorëve, me familjet e të pagjeturve.

Prandaj 17 shkurti është ditë e shenjtë për Kosovën.
 
Është vetë historia e Kosovës.

Është Dita e Republikës.


Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë,

Nëntë vjet më parë, këtu në këtë Kuvend, ka përfunduar një ëndërr për të filluar një ëndërr tjetër.

Ka përfunduar një angazhim për të filluar një tjetër.

Ka përfunduar puna për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Dhe ka filluar angazhimi për një Kosovë anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Për një Kosovë të ndërtuar mbi vlerat dhe parimet e lirisë, të barazisë, të drejtësisë, të gjithëpërfshirjes.

Për një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj, ku secili do të jetë i lirë të gjejë lumturinë e tij pa u cenuar nga të tjerët dhe pa cenuar të tjerët.

Kur vlerësojmë këto nëntë vjet e kuptojmë sesa larg kemi arritur.

Nga sfidat e përditshme nganjëherë nuk i shohim hapat e mëdhenj që kemi bërë.

Por, janë vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora që vijnë për vizitë në shtëpi, që na e kujtojnë sesa shumë është zhvilluar Kosova jonë.

Sa është ndërtuar shteti ynë.

Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, janë ndërtuar shkollat dhe arat e punës, janë shtruar rrugët dhe autostradat.

Por, diçka ka mbetur pa ndryshuar.

Kjo është dashuria jonë për shtëpinë tonë, për njëri-tjetrin.

Mbi këtë dashuri për vendin tonë po punojmë të ndërtojmë të ardhme më të mirë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë.


Zonja dhe zotërinj,

Cilat janë pra të arriturat e Kosovës në këto 9 vite?

Kosova sot është e njohur si shtet nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s, 56 për qind e OKB-së, 100 për qind e Forumit të Ishujve të Pacifikut, 61 për qind e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 57 për qind e KARIKOM dhe 49 për qind e Unionit Afrikan.

Kemi ndërtuar institucione demokratike që u bëjnë ballë sfidave të politikës.

Kemi krijuar policinë më profesionale në rajon.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës garojnë në stërvitjet më të vështira në botë dhe kthehen me medalje të artë.

Kemi integruar të gjitha komunitetet dhe punojmë çdo ditë që asnjë qytetar të mos ndihet i përjashtuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike, religjioze, gjininë apo orientimin seksual.

Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë.

Në mediat e botës Kosova më nuk zë vend me storiet për luftën dhe vuajtjet, por me storiet për sukseset në ndërtim të shtetit dhe promovim të paqes dhe dialogut.

Por, bota sot di për Kosovën edhe më shumë duke iu falënderuar sportistëve dhe artistëve të Kosovës.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Rita Ora, Dua Lipa, ekipi i filmit “Home” apo ai i filmit “Shok”, futbollistët dhe basketbollistët tonë... Kjo është Kosova që sot sheh bota!

Është kjo Kosova e njerëzve që nuk dorëzohen, e ndërmarrësve, punëtorëve, burrave dhe grave që gjejnë forcë që mbi dhimbjen dhe shkatërrimin e luftës të ndërtojnë shtet me dashuri, solidaritet dhe respekt për njëri-tjetrin.

Kjo është fitorja jonë më e madhe.

Kjo është fitorja e qytetarëve të Kosovës.


Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë të Kosovës,

Këtu nuk merr fund puna jonë.

Sot festojmë dhe kujtojmë sakrificat dhe të arriturat tona.

Por, sot zotohemi se do të vazhdojmë të punojmë për të ndërtuar shtëpinë tonë, Kosovën në NATO dhe në BE.

Kjo do të kërkojë të njëjtin përkushtim, të njëjtin zell nga ne, sikur deri tani.

Por, më shumë se çdo gjë tjetër kjo punë kërkon nga ne që të jemi të bashkuar, të jemi një kur bëhet fjalë për Kosovën.

Mund të dallojmë në bindjet tona politike, në pikëpamjet tona për botën apo shoqërinë tonë, por duhet të jemi unik në përkushtimin tonë për të ruajtur shtetin e Kosovës.

Vetëm duke forcuar shtetin tonë, Kosovën tonë, do të mund të realizojmë edhe ambiciet tona.

Pra, Kosova mbi të gjitha dhe për të gjithë.

Jetojmë në një botë që po ndryshon shpejtë.

Në kohë ndryshimesh që nuk mund të parashikojmë.

Por, nga e kaluara jonë e dimë shumë mirë se nëse qëndrojmë të bashkuar, të vendosur, të drejtë, projekti ynë për shtetin e Kosovës do të ketë sukses.

Prandaj, edhe një herë, gëzuar këtë ditë të shenjtë.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.