Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin e shtatë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

Dy vite më parë, në këtë Këshill bëmë hapin e parë zyrtar në procesin e integrimit Evropian të Kosovës, duke lansuar bashkërisht studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Sot, kam kënaqësinë të përshëndes nga ky Këshill përmbylljen e negociatave për MSA-në javën e kaluar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presim që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet sa më parë.

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës, udhëheqës të partive politike, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile,
 
I nderuari z. Fule,
 
Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e shtatë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.
 
Dy vite më parë, në këtë Këshill bëmë hapin e parë zyrtar në procesin e integrimit Evropian të Kosovës, duke lansuar bashkërisht studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Sot, kam kënaqësinë të përshëndes nga ky Këshill përmbylljen e negociatave për MSA-në javën e kaluar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Presim që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet sa më parë.
 
Ky hap i parë i vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Ky përparim është rezultat i konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik në Kosovë që gëzon agjenda jonë evropiane. Ne e kemi fuqizuar këtë konsensus, duke e bërë agjendën evropiane një projekt gjithëpërfshirës dhe përpjekje gjithëshoqërore.
 
Përmbyllja e negociatave duhet të na shërbejë si themel mbi të cilin ndërtojmë rrugëtimin tonë tutje. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë opsioni i vetëm që do të nxisë transformimin dhe zhvillimin e vendeve të rajonit. Momenti i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe politika e derës së hapur për Ballkanin Perëndimor duhet të avancohet, dhe për këtë ndërmarrje duhet vullneti i të dy palëve.
 
E kam thënë që Kosova nuk kërkon një rrugë të shkurtër për në BE. Ne duam që ky proces të jetë konsistent, në një vijë me perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, i bazuar në merita dhe një proces individual për secilin shtet.
 
Ne kërkojmë të ketë një intensifikim të shtuar të përpjekjeve dhe fuqizim të dialogut për viza, që ka për qëllim përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve të përcaktuara në udhërrëfyes. Qytetarët e Kosovës, e sidomos të rinjtë, e meritojnë të realizojnë perspektivën evropiane ashtu si qytetarët e tjerë të rajonit. Kosova dhe qytetarët e saj nuk e rrezikojnë askënd.
 
Në rrugëtimin tonë të mëtejmë ne duam një trajtim të barabartë, sepse kemi dëshmuar pjekuri politike dhe vendimmarrje të guximshme, në favor të paqes dhe prosperitetit në Kosovë dhe rajon.
 
Kemi gjetur vullnetin politik për të adresuar çështjet e interesit të përbashkët me vendin me të cilin ndajmë një të kaluar të tmerrshme, dhe konsiderojmë që shtetet e Bashkimit Evropian, sidomos ato që ende nuk e njohin Kosovën, të tregojnë një pragmatizëm të njëjtë për një realitet tashmë të pamohueshëm.
 
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
 
Në sfidat dhe detyrat që i kemi para vetes, misioni ynë i qartë është angazhimi për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Këtë e duan dhe e meritojnë qytetarët tanë.
 
Jemi të inkurajuar me Strategjinë e fundit të Zgjerimit të BE-së për të ndihmuar vendet e Ballkanit në prioritetet ekonomike dhe nxitjen e investimeve të jashtme. Nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse për një agjendë kredibile të reformave për rritjen ekonomike, mbështetjen e bizneseve, dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Mbes e përkushtuar të punoj me të gjitha institucionet dhe me sektorin privat për të ndihmuar dhe promovuar kushtet dhe një ambient sa më të mirë dhe të sigurt për investime të jashtme.
 
Por, nyja e përparimit tonë si shtet dhe si shoqëri është sundimi i ligjit. Ne do të jemi të suksesshëm nëse seriozisht ju qasemi reformave dhe jemi të pakompromis ndaj të gjitha dukurive negative, që po ngadalësojnë zhvillimin e vendit. Respektimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësore për të pasur sukses në këtë rrugëtim. Ashtu siç është edhe reforma e nisur në sistemin e drejtësisë, që ka për qëllim krijimin e një drejtësie të pavarur dhe efikase.
 
Ne do të vazhdojmë të jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovues i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore. Mbesim të përkushtuar ndaj dialogut me Republikën e Serbisë, si e vetmja mënyrë për të rinisur marrëdhëniet tona si palë të barabarta. Marrëveshjet e arritura në këtë dialog duhet të zbatohen dhe zbatimi i tyre duhet të jetë përcaktues dhe kusht i rrugëtimit drejt BE-së.
 
Ky vit është vit zgjedhor në Kosovë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të dëshmojnë pjekurinë tonë politike dhe demokratike dhe standardet e larta që i kemi vendosur në zgjedhjet e fundit lokale. Zgjedhjet e ndershme, gjithëpërfshirëse, që dëshmojnë se ne jemi një shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar do të fuqizojnë edhe më shumë përpjekjet tona në rrugën e integrimit evropian.
 
Sot, në këtë takim të Këshillit, kemi kënaqësinë ta kemi të pranishëm Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, zotëri Stefan Fule, për të vlerësuar proceset që kemi kaluar së bashku dhe rrugën tutje drejt BE-së. Dëshiroj ta falënderoj Komisionerin Fule për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme për avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimin e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian.
 
Ju ftoj që përmes diskutimeve të bëjmë një vlerësim të sfidave dhe obligimeve që na presin në të ardhmen.