Fjala e Presidentes Jahjaga në takimin e gjashtë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga kryesoi sot punimet e takimit të gjashtë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, atyre ndërkombëtare, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues nga shoqëria civile e të tjerë.

Në vijim po e japim fjalimin e Presidentes Jahjaga në hapje të takimit:
 
Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, për të diskutuar përmbushjen e obligimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe përparimin në një numër prioritetesh, me theks të veçantë në reformën e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.
 
Reformat në këtë sektor dalin si nevojë imediate nga negociatat tashmë të filluara për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që shënojnë hapin më konkret të marrëdhënies së re me Bashkimin Evropian, të cilat presim t’i përmbyllim me sukses në pranverë të vitit të ardhshëm.
 
Një sistem funksional dhe i pavarur i sistemit të drejtësisë është themel i çdo shoqërie demokratike. Sundimi i ligjit dhe rendit në gjithë territorin e vendit dhe luftimi me sukses i të gjitha dukurive negative në shoqëri, do të sigurojnë një vend në mesin e shteteve të tjera të BE-së.
 
Në vitet e fundit, vendi ynë ka ndërmarrë një reformë të sistemit të drejtësisë, duke miratuar legjislacionin bazë dhe duke ndërmarrë një proces të ristrukturimit të sistemit të drejtësisë. Tani duhet të përqendrohemi në zbatimin efikas të legjislacionit, që qytetarët e Kosovës të shohin përfitimet nga sistemi i drejtësisë.
 
Reforma dhe zbatimi i ligjeve thelbësore ka për qëllim të përmirësojë dhe të fuqizojë pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë, dhe ky proces duhet të përfundojë me sukses. Sepse reformat e nisura në vend nuk bëhen vetëm për hir të anëtarësimit tonë në BE, por për të mirën e qytetarëve tanë dhe për të vendosur standarde demokratike.
 
Përpjekjet për të konsoliduar sundimin e ligjit i kemi shndërruar në përparësi të angazhimit tonë për të ndërtuar shtet demokratik dhe me standarde më të larta.
 
Reforma në sistemin e drejtësisë ndihmon në konsolidimin e sundimit të ligjit, stabilitetin afatgjatë të vendit, por edhe në zhvillimin tonë ekonomik.
 
Për këtë arsye, përfundimi me sukses i këtij procesi ndihmon në përparimin e gjithmbarshëm të vendit tonë dhe të shoqërisë tonë.
 
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
 
Po shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë anëtarët për kontributin që keni dhënë në punimet e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian në dy vitet e fundit. Veçanërisht Ministrinë e Integrimeve Evropiane të udhëhequr nga Ministrja Çitaku.
 
Mirëpres kontributin tuaj që përmes diskutimeve dhe propozimeve të kemi një pasqyrë të qartë se si të ecim përpara.
 
Që prej fillimit të punës së Këshillit, dy vjet më parë, kemi vënë bazat për ndërtimin dhe fuqizimin e konsensusit të përgjithshëm në shoqëri për reforma dhe për vizionin afatgjatë evropian të vendit tonë.

Ne tashmë kemi aprovuar Strategjinë Kombëtare për Integrim Evropian, proces ky i zhvilluar përmes një konsultimi dhe konsensusi të gjerë të institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile dhe ajo do të na shërbejë si një udhërrëfyes në rrugën tonë të integrimeve.
 
Kjo punë e përbashkët e jona është vlerësuar edhe nga BE-ja dhe procesi i integrimeve për ne fillon me përfundimin e reformave në shoqërinë tonë dhe vendosjen e rendit dhe të ligjit.
 
Një punë intensive na pret në vitin 2014 për të përshpejtuar agjendën tonë evropiane dhe për të përmbushur obligimet që dalin nga ajo dhe unë jam optimiste se Këshilli do të vazhdojë të jetë forum i qëlluar për të ndihmuar çdo institucion të Republikës së Kosovës të arrijë synimet mbi të cilat konsensusi ynë të jetë i palëkundur.